Programi “Angazhimi i Diasporës Shqiptare në Zhvillimin Social dhe Ekonomik të Shqipërisë”, që krijoi Mekanizmin Connect Albania, do të jetë funksional deri në fund të Dhjetorit 2021. Deri atëherë Connect Albania do të vazhdojë të certifikojë Agjentët e Zhvillimit të Interesuar (AZHI) dhe të asistojë sipërmarrësit e huaj që dëshirojnë të hapin një biznes në Shqipëri.

Në përputhje me dispozitat e Rregullores se Connect Albania, nuk do të jetë e mundur të jepet bonus për ato AZHI që kanë ndërmjetësuar për regjistrimin e një biznesi të ri në Shqipëri që nga data 1 Korrik 2021, bazuar në kriteret e gjashtë muajve të aktivitetit nga data e regjistrimit të biznesit.

Ndërkohë, stafi i Zyrës Connect Albania vazhdon të mirëpresë dhe asistojë aplikimet nga anëtarët e diasporës shqiptare që dëshirojnë të certifikohen si AZHI si dhe  kërkesat nga investitorët e huaj të mundshëm që duan të hapin një biznes në Shqipëri. Po ashtu po zhvillohen diskutime me Qeverinë Shqiptare për të garantuar qëndrueshmërinë e mekanizmit Connect Albania dhe për të vazhduar sigurimin e rolit të AZHI në zhvillimin ekonomik të vendit. Çdo lajm në këtë drejtim do të publikohet në kohën e duhur.