Blog

Këshilli i Investimeve: Prioritet përmirësimi i klimës së investimeve në vend!

Kryesuar nga Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, znj. Delina Ibrahimaj, Këshilli i Investimeve (KI) zhvilloi një mbledhje të jashtëzakonshme për të prezantuar shtyllat prioritare të ndërhyrjes së Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë për përmirësimin e klimës së investimeve, në vijim të rekomandimeve të KI dhe komunitetit te biznesit.

Dhoma e Biznesit të Diasporës, anëtare e Këshillit të Investimeve që prej vitit 2019, u përfaqësua në këtë mbledhje nga Kryetari i saj, Z. Ardian Lekaj. Për shkak të kushteve të jashtëzakonshme, mbledhja u mbajt në Pallatin e Kongreseve, në formatin hibrid, fizikisht dhe online.

Qëllimi i këtij takimi të jashtëzakonshëm ishte nisja e hartimit të një plan pune për përmirësimin e klimës së investimeve në vend. Ky plan do të hartohet bazuar në rekomandimet e komunitetit të biznesit dhe problematikave të evidentuara gjatë tryezave me biznesin dhe takimeve të ndryshme të punës.

“Ne e shohim si shumë të rëndësishëm komunikimin me biznesin. Unë personalisht si ministre jam shumë e angazhuar për tryeza me biznesin, të detajuara e specifike, ku të ulemi sa më shpesh me pjesëmarrjen e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, në mënyrë që të arrijmë bashkërisht të zbatojmë ato reforma që qeveria ka ndërmarrë dhe ka për vizion të ndërmarrë në të ardhmen”, tha ministrja Ibrahimaj.

Ministrja informoi se janë gjithsej 194 rekomandime, të cilat janë kategorizuar në 27 tema të identifikuara dhe që përfshijnë 10 ministri, Bankën e Shqipërisë dhe disa institucione varësie.

Disa prej temave të rekomandimeve janë: legjislacioni tatimor, fiskalizimi, kuadri rregullator bankar, tregtia elektronike, ligji i falimentit, tatimi mbi të ardhurat personale, tatimi mbi fitimin, lufta kundër informalitetit, mbrojtja e makrave tregtare, investimet e huaja direkte, etj.  Për një pjesë të rekomandimeve ka nisur puna për reflektimin e tyre, pasi janë identifikuar edhe në punën e përditshme të MFE, si fiskalizimi, tatimi mbi të ardhurat personale, tatimi mbi fitimin apo lufta kundër informalitetit.

Ministrja Ibrahimaj theksoi se gjatë muajit shkurt do të organizohen takime me përfaqësues të ministrive dhe përfaqësues nga shoqatat e biznesit, sipas temave të veçanta, në mënyrë që të analizohen të gjitha rekomandimet.

Post a comment